Versioni F-Type nuk dallon vetëm për një rifreskim estetik. Motor 450 kuaj fuqi të V8 me 5 litra si dhe rinovime teknologjike në kabinë janë elementë që e bëjnë F-Type akoma dhe më shumë në plan të parë. Por, gjithmonë me aromë britanike
Nëse pas shtatë vitesh, (F-Type ka dalë në qarkullim për herë të parë në 2013) ju prisnit një diçka totalisht të re, në të vërtetë duhet të bëni akoma durim, sepse është bërë thjesht një ristilim. Por, në finale, efekti pamor është rritur, të paktën duke gjykuar nga imazhi. Ekipi i dizenjatorëve – deri dje i udhëhequr nga Ian Callum dhe sot nga Julian Thomson – duket se ka punuar në drejtimin e duhur. Duke ruajtur proporcionet e asaj karrocerie që gjithmonë është dalluar për perfeksionin e konceptit të coupé, lapsi i dizenjatorit ka vepruar kryesisht në pjesën frontale duke i dhënë veturës një gjallëri stilistike të rinovuar. Kofanoja e gjatë dhe e skalitur kulmon tashmë në një pamje më të vrenjtur se kurrë më parë, kjo falë edhe projektorëve të rinj e të mprehtë Led si dhe një grile radiatori që duket sikur është menduar për të ngjallur një farë frike në pasqyrën e atyre që janë përpara. Kuadri estetik që i intereson si versionit Coupe edhe atij Convertible kompletohet edhe me një parakolp të ri, me dy erëpritëse si dhe me grupet optike mbrapa me dioda me motive chicane të marra direkt nga I-Pace. Risitë në kabinë në të vërtetë janë të pakta. Karakteristikat e kroskotit dhe timonit janë ato të mëparshmet me lëkurë Windsor që jep një atmosferë të ndezur. Por, tifozët e teknologjisë do të jenë të kënaqur me instrumentet dixhitale: ekran Tft (natyrisht me konfigurim) 13 inç, një sistem multimedial Touch me ekran 10 inç të aftë për të mundësuar lidhjen me Android Auto dhe Apple CarPlay, përveç përditësimeve software.
NGA 300 NË 575 KUAJ FUQI
Është prekur edhe gama e motorëve, të gjithë të çiftëzuar me një kambio automatike me tetë raporte që është më e shpejtë në reagim. Fillohet nga motori 4-cilindërsh i familjes Ingenium me dy litra dhe 300 kuaj fuqi (me 250 km/orë) dhe me traksion në rrotat mbrapa. Ja edhe V8 me pesë litra me kompresor volumetrik, i disponueshëm në dy variante: njëri variant i ri, më i qetë, 450 kuaj fuqi (me traksion si në rrotat mbrapa ashtu edhe integral) dhe varianti tjetër: i rezervuar për versionin F-Type R, me 575 kuaj fuqi, 700 Nm, me 0-100 km/orë në 3,7 sekonda (edhe falë traksionit 4×4) si dhe me shpejtësi deri në 300 km/orë. Modeli i tanishëm gëzon një seri aktesh të mprehta për të përmirësuar handling-un: këndi i rrotave mbrapa është rritur me 37 %, nëntimoni elektrik është rigraduar dhe kontrollet elektronike janë rikalibruar ashtu si edhe balestrat, amortizatorët dhe zbarrat anti-dridhje, të cilat janë të reja. Gjithashtu, duke iu referuar versionit F-Type R, dimensionet e gomave pneumatike Pirelli PZero janë më të mëdha: 20 inç, 265/35 përpara dhe 305/30 mbrapa. Së fundi, impianti i frenimit është rritur me disqe karboqeramike.