E gjithë bota është duke jetuar një prej momenteve më të vështira të dekadave të fundit. Pandemia COVID-19 është padyshim tema botërore e diskutimit që ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore mënyrën tonë të jetesës prej më shumë se tre muajsh.
Sporti është një prej fushave më të goditura, për shkak të grumbullimit të madh të ndjekësve. Motorsporti nuk bën përjashtim dhe në të gjithë botën, FIA ka vendosur anulimin e kampionateve më të rëndësishme të shpejtësisë. Në një kohë të tillë sfidash të panjohura më parë, komuniteti i FIA-s ku bën pjesë edhe Automobile Club Albania po përballen me vështirësi për sa i përket organizimit të garave dhe aktiviteteve të ndryshme. FIA po bën përpjekje maksimale gjatë të gjithë kësaj periudhe duke mbajtur të bashkuar anëtarët dhe komunitetin, ndërsa Presidenti z.Jean Todt ka lëshuar disa herë mesazhe për të qëndruar solid në këtë situatë të vështirë. Projektet e FIA-s si “FIA Stay Tuned” apo “ASN Crisis Management” ku ka marrë pjesë edhe Klubi i Automobilit të Shqipërisë, synojnë që të ndihmojnë klubet anëtare në këtë periudhë të vështirë për të përballuar sfida të panjohura më parë.
Në një periudhë normale, deri në këtë moment do të ishin zhvilluar disa aktivitete si edhe do të bëheshim gati për të nisur sezonin e ri të motorsportit me gara dhe kampionate në disiplina të ndryshme. Të gjithë urojmë që gjithçka të përfundojë sa më shpejt dhe ti kthehemi jetës normale.
Gjithsesi, Auto Club Albania është në pritje për të lançuar projektet më të fundit të një fillimi të ri pas kësaj situate të vështirë. Më shumë aktivitete, më shumë gara dhe më shumë ndihmë dhe asistencë ndaj anëtarëve tanë. Kujtojmë këtu edhe faktin që parlamenti shqiptar ka miratuar Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore deri më 23 Qershor, çka do të thotë se nuk mund të zhvillohen aktivitete sportive si edhe konkurse edukative me fokus sigurinë rrugore. Jemi në prag të sezonit të verës dhe klubi është gati për t’iu përgjigjur maksimalisht kërkesave të anëtarëve dhe jo vetëm.
Dhe kur gjithçka të jetë gati për të nisur garat e motorsportit, Auto Club Albania do të publikojë edhe projekt-kalendarin e garave të radhës. Do të ketë shumë risi, evente dhe gara që do të përfshijnë pilotët e rinj dhe ata me eksperiencë në disiplina dhe kompeticione të ndryshme.
Njëlloj si klubet e tjera anëtare të FIA-s, edhe Klubi i Automobilit të Shqipërisë po vazhdon të ndjekë me vëmendje maksimale situatën në zhvillim në botë dhe në vendin tonë gjithashtu duke iu përshtatur masave. Le të urojmë për ta kaluar sa më shpejt këtë situatë dhe të rikthehemi edhe një herë në normalitetin e jetës sonë.
#RaceAgainstCovid!