Më në fund ka një datë për fillimin e kampionatit më të ndjekur të motorsportit në botë, Formula 1. Drejtori Ekzekutiv i F1, Chase Carey ka njoftuar sot me anë të një deklarate për zhvillimet më të fundit për kalendarin e riformuluar të këtij sezoni duke përfshirë një datë fillimi, më 5 Korrik 2020 në Austri.
“Edhe pse këtë mëngjes u njoftua se Çmimi i Madh i Francës që do të zhvillohej në fund të qershorit, është shtyrë, mund të them se jemi gjithnjë e më të sigurt me avancimin e planeve tona për të filluar sezonin e këtij viti në verë. Synojmë që të fillojmë garat në Evropë me Çmimin e Madh të Austrisë më 3-5 Korrik duke vazhduar më pas me çmimet e tjera në këtë kontinent në Gusht dhe fillim të Shtatorit. Më pas, në Shtator, Tetot dhe Nëntor do të zhvillohen garat në Euroazi, Azi, Amerikën Veriore dhe Amerikën Jugore. Dhe në Dhjetor të përfundojmë sezonin në Lindjen e Mesme në Bahrein në Çmimin e Madh të Abu Dabi, ndërsa do të zhvillohen 15-18 gara.
Ne do të publikojmë kalendarin tonë të përfunduar sa më shpejt që të kemi mundësi. Presim që garat e para të zhvillohen pa tifozë, por shpresojmë se fansat të jenë pjesë e jona në vazhdim. Ende na duhet të përpunojmë shumë çështje, siç janë procedurat që ekipet dhe partnerët tanë të tjerë të hyjnë dhe të veprojnë në secilin vend. Shëndeti dhe siguria e të gjithë të përfshirëve do të vazhdojnë të jenë prioriteti një dhe ne do të ecim përpara vetëm nëse jemi të sigurt se kemi procedura të besueshme për të adresuar këto dy rreziqe dhe çështjet e mundshme.
FIA, skuadrat, promovuesit dhe partnerët e tjerë kryesorë kanë punuar me ne gjatë të gjithë këtyre hapave dhe ne duam t’i falënderojmë ata për të gjithë mbështetjen dhe përpjekjet e tyre gjatë kësaj kohe tepër të vështirë. Ne gjithashtu duam të përmendim faktin se ekipet na kanë mbështetur në të njëjtën kohë, ndërsa kanë qenë të përqendruar në përpjekjet e mëdha dhe heroike për të ndërtuar aspiratorë për të ndihmuar të infektuarit me COVID-19.
Ndërsa kemi ecur përpara me planet tona të vitit 2020, ne gjithashtu kemi punuar shumë me FIA-n dhe ekipet për të forcuar të ardhmen afatgjatë të Formula 1 përmes një serie rregullash të reja teknike, sportive dhe financiare që do të përmirësojnë konkurrencën dhe veprimin në rrugën e duhur dhe e bëjnë atë një biznes më të shëndetshëm për të gjithë ata që janë të përfshirë. Të gjitha planet tona janë padyshim subjekt i ndryshimeve pasi ne kemi ende shumë çështje për të adresuar dhe të gjithë jemi subjekt i të panjohurave të virusit. Ne të gjithë duam që bota të kthehet në atë që njohim dhe vlerësojmë, megjithatë e dimë se duhet të bëhet në mënyrën e duhur dhe më të sigurt. Ne mezi presim të bëjmë pjesën tonë duke i mundësuar tifozëve tanë të shijojnë edhe një herë kënaqësinë e Formula 1 me familjen, miqtë dhe komunitetin e gjerë. Urimet tona më të mira për të gjithë ju”, shkruhet në deklaratën e Chase Carey.