Viti 2019 do të kujtohet gjatë në historinë e motorsportit shqiptar. Tashmë kemi hyrë në 2020-ën, por nuk mund të mos përmendim dy pika kulmore deri tani në këtë sport shumë tërheqës dhe shumë të dashur në Shqipëri.
Nëntorin e 2019-ës, Shqipëria hapi një faqe të re në këtë sport. Ishim mësuar që ta shihnim flamurin kuqezi që të ngrihej në kompeticione të rëndësishme ndërkombëtare në sporte të ndryshme, por më në fund, pak javë më parë e pamë flamurin shqiptar të ishte mes shumë të tjerëve edhe në një Kampionat Botëror motorsporti siç është FIA Motorsport Games. Pamjet e parakalimit të ekipit kuqezi që hapi paradën gjatë ceremonisë së nisjes së kompeticionit ndërkombëtar, do të mbeten në histori. Një moment emocionues dhe drithërues kur dy të rinjtë, 14-vjeçari Kristofor Mjeshtri dhe 15-vjeçarja Alexia Karaguni parakaluan përpara mijërave spektatorëve në Romë. Dy pilotët garuan në disiplinën Karting Slalom dhe u renditën në vendin e 25-të nga 28 ekipe pjesëmarrëse.
Por, kulmi arriti me FIA Sport Regional Congress dhe FIA CEZ Prize Giving Ceremony, dy eventet më të rëndësishme për sa i përket motorsportit të mbajtura ndonjëherë në vendin tonë. Automobile Club Albania mirëpriti Edicionin e 5-të të Kongresit Rajonal Sportiv të FIA-s. Një prej temave që tërhoqi vëmendjen gjatë punimeve të Kongresit ishte edhe përfshirja e femrave në motorsport.
FIA Prize Giving Ceremony mblodhi rreth 280 të ftuar në një mbrëmje “Gala” ku u shpërndanë rreth 220 çmime për pilotët fitues të tre vendeve të para në gara në 12 disiplina të ndryshme të kampionateve të vlefshme për Zonën e Evropës Qendrore (CEZ). Autocross, Circuit, Circuit Endurance, Cross Country, Drifting, Rally, Karting, Hill Climb, Historic Hill Climb, Historic Rally, Slalom dhe Rallycross ishin disiplinat ku kanë garuar pilotët fitues. Gjithashtu, u shpërndanë çmime “Ladies Cup” për pilotet femra dhe për të rinjtë “Talent of The Year”. Të pranishëm në këtë mbrëmje Gala ishin edhe pilotë shqiptarë që garojnë në disiplina të ndryshme në vendin tonë. Një mundësi shumë e mirë për ta për të takuar pilotë të shumtë nga vendet e rajonit dhe për të mësuar më shumë nga ata në lidhje me garat dhe motorsportin.
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të eventeve në Shqipëri, ishte i pranishëm edhe Presidenti i FIA-s, z.Jean Todt. Ky i fundit erdhi në Tiranë edhe si i Dërguari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Sigurinë Rrugore. Todt drejtoi punimet e Kongresit, ndërsa dorëzoi edhe çmimet për “talent of TheYear” në FIA CEZ Prize Giving Ceremony, ndërsa vizitoi disa prej të dëmtuarve nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 duke u solidarizuar me ta. Gjithashtu, kreu i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit zhvilloi takime të nivelit të lartë me Kryeministrin e Shqipërisë, Kryetarin e Kuvendit, Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe me Ministrin e Brendshëm. Presidenti i FIA-s u shoqëruar gjatë të gjithë kohës nga Presidenti i Auto Club Albania, z.Niko Leka dhe të dy së bashku iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së gazetarëve shqiptarë duke zhvilluar edhe një konferencë për shtyp. Gjatë konferencës, z.Todt dhe z.Leka trajtuan tema të ndryshme, si zhvillimi i motorsportit në Shqipëri, siguria rrugore si edhe planet e Auto Club Albania-s për të krijuar kushtet që të afrohen sa më shumë të apasionuar drejt këtij sporti.
Gjatë 2020-ës, ACA do të vazhdojë të jetë shumë aktive duke organizuar Edicionin e 10-të të Konkursit Kombëtar “Të Sigurt mbi Dy Rrota” me pjesëmarrjen e fëmijëve 10-12 vjeç duke synuar edukimin e tyre me rregullat e qarkullimit në rrugë. Do të vazhdojë tradita e garës “Trofeu Skënderbej” e vlefshme për kampionatin Hill Climb të Central European Zone. Synimi është që të shtohet edhe një tjetër itinerar përveç atij që zhvillohet në Malin e Krujës. Pas dy sezoneve të suksesshme të Kampionatit Kombëtar Go-Kart, do të ketë një tjetër vit me më shumë gara, kategori dhe pilotë. Auto Club Albania synon të zhvillojë për herë të parë në Shqipëri gara në disiplinën Cross Car.
Fushatat sensibilizuese në lidhje me sigurinë rrugore dhe angazhimi i Auto Club Albania në këtë aspekt do të vazhdojë të jetë maksimal në çdo moment.
Duke ju uruar një Vit të Ri të mbarë, na ndiqni në vazhdim, pasi do të ketë shumë surpriza.