Fiat fillon elektrifikimin e serisë duke prezantuar 500 Hibrid dhe Panda Hibrid. Bëhet fjalë për të parat “city car” të grupit FCA për sa i përket këtij lloji, të cilat hapin rrugën e tranzicionit elektrik të markës italiane dhe ju lejojnë të përfitoni nga avantazhet dhe lehtësitë e taksave për qarkullim në zonat urbane. Modelet do të jenë në dispozicion nga 10 Janari 2020 me çmime promocionale duke filluar nga 10.900 euro.
Motori i zgjedhur është 1.0, 3-cilindërsh Firefly me 70 kuaj fuqi dhe moment përdredhës maksimal 92 Nm, i kombinuar me një sistem BSG me gjenerator dhe impiant 12 Volt. I gjithë motori peshon vetëm 77 kg. Në krahasim me motorin 1.2 benzinë me 69 kuaj fuqi, emetimet reduktohen me një mesatare 20-30%. Përveç kësaj, sistemi hibrid i butë ofron një rehati maksimale në fazat e rimarrjes së shpejtësisë në krahasim me motorin endotermik. Motori prodhon moment përdredhës maksimal 3.500 xhiro/min dhe fuqi maksimale në 6.000 xhiro/min dhe karakterizohet nga një raport kompesimi veçanërisht i lartë (12:1) dhe një bazament alumini. Sistemi BSG është i lidhur me një bateri me jone litiumi me 11 Ah dhe fik motorin termik poshtë 30 km/h, ku të gjitha shërbimet mundësohen nga energjia elektrike e grumbulluar. Të dyja modelet, Panda Hibrid dhe 500 Hibrid, janë të pajisura me kambio manuale me gjashtë marshe. Kambio është zhvilluar duke zvogëluar fërkimin dhe duke zgjatur raportin e gjashtë. Për momentin, Fiat nuk ka siguruar të dhëna të detajuara të performancës, duke e kufizuar veten në përcaktimin e tyre në përputhje me ato të motorit 1.2 me 69 kuaj fuqi.
Fillimisht, Fiat 500 dhe Panda Hibrid do të ofrohen në Hybrid Launch Edition duke nisur nga muaji shkurt. Përveç simbolit specifik në pjesën qendrore, makinat njihen edhe për ngjyrën e jashtme ekskluzive Verde Rugiada dhe për logon Hybrid në pjesën e bagazhit. Në ndërtimin e brendshëm, ekziston gjithashtu një tregues specifik që sugjeron se kur duhet të kaloni në pushim për të aktivizuar modalitetin “coasting”. Pjesët e brendshme janë të veshura me pëlhurë Seaqual Yarn e krijuar në 10% nga plastikë e ricikluar me origjinë detare dhe 90% me origjinë tokësore, dhe të zbukuruara me ngjyra miqësore me mjedisin.